WeBalkans
WeBalkans

EU with YOU — Komunikimi rajonal për Ballkanin Perëndimor

Një brend rajonal për një rrugëtim të përbashkët evropian

EU with YOU është fushata e re rajonale e komunikimit e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, dhe Koperativa dizajnoi identitetin e brendit të saj. Brief që pranuam ishte ambicioz: të ndërtohej një gjuhë e vetme, koherente vizuale dhe verbale që afron Bashkimin Evropian me njerëzit në gjashtë tregje, në çdo format dhe çdo gjuhë në të cilën fushata do të jetojë.

Ajo që realizuam është një sistem i plotë identiteti, strategjik, kreativ dhe i ndërtuar për me zgjatë.

 

Idea: një yll në lëvizje

Pikënisja ishte një pyetje. Si ndihet realisht BE-ja në Ballkanin Perëndimor? Jo si flamur në një ndërtesë, por si një forcë që njerëzit e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme, në rrugët e ndërtuara, vendet e punës të krijuara, institucionet që funksionojnë.

Përgjigjja u bë themeli i identitetit: një yll i formuar nga shigjeta të ndërlidhura. Një riinterpretim i simbolit tradicional të BE-së, i rivizatuar si diçka dinamike. Shigjetat drejtohen kah qendra, duke përfaqësuar rrugët, komunitetet dhe kulturat që rreshtohen rreth vlerave të përbashkëta. Së bashku, ato komunikojnë partneritet, momentum dhe një rajon në lëvizje.

 

Sistemi: fleksibil dhe i adaptueshëm

Një fushatë rajonale ka nevojë për një brend që udhëton. EU with YOU jeton në gjashtë tregje, në gjuhë të shumta dhe në çdo format të imagjinueshëm, nga billboardat në kryeqytete, e deri te postimet në rrjete sociale në qytete të vogla, nga kopertinat e podcasteve deri te materialet promocionale. Çdo element i sistemit u dizajnua duke e pasur parasysh atë fleksibilitet.

Çfarë ndërtuam:

  • Sistemi i logos – variante me ngjyra të plota dhe monokromatike, lockup-e vertikale dhe horizontale, me një logjikë të përcaktuar se si shenja sillet nëpër kontekste.

  • Arkitektura e ngjyrave – një paletë primare e integruar në të kaltrën e BE-së, e shoqëruar me tre paleta të dallueshme klasterësh (të verdha të ngrohta për zhvillim ekonomik, e kaltërta e ftohtë për sundimin e ligjit, e gjelbra e thellë për infrastrukturën) që sinjalizojnë temën në shikim të parë.

  • Tipografia – Selecta si tipografi parësore për karakter dhe personalitet, Barlow si dytësore për qartësi dhe shkallëzim.

  • Lëvizja – animacionet intro dhe outro që e gjallërojnë yllin, të dizajnuara për të u përcjellë në çdo video, reklamë dhe moment transmetimi.

  • Përdorime tjera – brending për podcast, trajtim për serinë televizive A Day in the Life, materiale promocionale, template për rrjete sociale dhe për reklamim outdoor. Plus zgjerime të identitetit për Ditën e Evropës dhe WeBalkans Content Hubs.

 

Tre klastere, tre botë kreative

Fushata flet përmes tre klasterëve (clusters) tematikë, secili me pozicionimin, arsyetimin narrativ dhe qasjen kreative të veten:

  • Zhvillimi Ekonomik – duke mbuluar punësimin, rininë, NVM-të, inovacionin dhe koston e jetesës. Botë vizuale: e ngrohtë, njerëzore, vëzhguese. Tregimi që shfaq iniciativën dhe vrullin.

  • Infrastruktura – duke mbuluar transportin, energjinë, tranzicionin e gjelbër, si dhe hapësirën dixhitale dhe publike. Botë vizuale: e hapur, e prekshme, e jetuar. Tregimi që e përkthen investimin në lehtësi të përditshme.

  • Fundamentals – duke mbuluar sundimin e ligjit dhe institucionet në të cilat qytetarët mbështeten çdo ditë. Botë vizuale: e qartë, e menduar, e besueshme. Tregimi që e paraqet reformën si një reaksion zinxhiror që njerëzit mund ta shohin.

Çdo klaster ka trajtimin e tij vizual, por të gjitha ndajnë të njëjtin ADN. Një billboard në një treg dhe një postim në rrjete sociale në një tjetër bëjnë të vërehet se është njëjta fushatë.

 

Puna pas brendit

Ky identitet është rezultat i muajve të punës strategjike dhe kreative nga ekipi i Koperativës. Filloi me hulumtim, biseda dhe një përpjekje të vërtetë për të kuptuar se si duket realisht prania e BE-së në Ballkanin Perëndimor në terren. Nga aty, procesi i dizajnit ishte i qëllimshëm: duke e zhveshur simbolin e BE-së deri në thelbin e tij, duke pyetur se si duhet të duket lëvizja për një rajon në tranzicion, dhe duke e rindërtuar shenjën si diçka dinamike, drejtimore dhe tonën për ta përvetësuar.

Kjo është lloji i punës për të cilën Koperativa është ndërtuar, të kthejë një brief kompleks dhe institucional në ide me të cilat njerëzit lidhen vërtetë. EU with YOU përkthen gjithçka që kemi mësuar ndër vite në komunikimin për BE-në në një nga identitetet rajonale më ambicioze që kemi realizuar ndonjëherë, dhe e vendosë standardin për ku po e çojmë këtë punë në vazhdim.

 

ProjektiTjetër